Adriatik Balla 01.07.2015 07:55
ASNN – Sipas mediave italiane, Lorik Cana është drejt largimit nga Lacio dhe për të në fakt nuk mungojnë ofertat në klubin kryeqytetas. Në ditët e shkuara është folur për interesimin e Shalke 04-rës, por siç bën të ditur në versionin e saj të printuar “Il Messagero”, lajm që e përcjell më pas edhe faqja sportive e profilizuar italiane, “TuttoMercatoweb” veç “bluve mbretërorë” në ndjekje të Lorikut është dhe një klub tjetër i Bundesligës, pikërisht Bajer Leverkuseni, klub që do të luajë këtë vit në Ligën e Kampioneve, duke e nisur nga ndeshjet e “play-off”-it, pasi e përfundoi kampionatin në vendin e 4-ët të klasifikimit.
Në të shkuarën, Cana ka pranuar publikisht pëlqimin e tij për Bundesligën si një preferencë e lindur për shkak të futbollit që aplikohet aty, mënyrës se si e përjetojnë tifozët futbollin, por padyshim dhe ambicies për të vijuar një tur prestigji në kampionatet më të fortë të Evropës pas përvojave në Ligën 1 në Francë, Premier Ligën Angleze, Superligën turke dhe së fundmi dhe Serinë A. Gjasat janë të mëdha të zgjedhë të luajë edhe për Olimpikun e Marsejës në kampionatin francez, por kjo do të varet shumë nga ofertat financiare. Gjermanët paguajnë më mirë dhe Cana është joshur nga
ofertat e tyre.