AlbanianSport.com 25/01/2019 14:35
ASNN – Trajneri Kristian Panuçi do të jetë këtë fundjavë në Greqi, ku do të ndjekë një ndeshje të kampionatit grek midis Panioniosit dhe AEK-ut të Athinës, një ndeshje ku pritet të luajë titullar mesfushori me tipare sulmuese, Fiorin Durmishaj. Lojtari ka bërë një paraqitje vërtet të mirë për Panioniosin, si në Kupë, ashtu edhe në kampionatin helen, kështu që trajneri italian i Kombëtares do të shohë nga afër cilësinë e tij.
22-vjeçari ka ndihmuar Panioniosin të kualifikohet në turin tjetër të kupës në Greqi, pasi eliminoi PAS Janinën e Andi Lilës dhe synon një vend nderi në kampionatin grek, me shpresën se do të marrë pjesë në Kupat e Evropës. Nga ana tjetër, një mundësi e kalimit të Durmishajt në radhët e Olimpiakosit, skuadrës së njohur helene, është ende një opsion i realizueshëm.
Panuçi do ta ndjekë Durmishajn nga afër dhe besoht se do ta ftojë atë në përfaqësuese. Në nëntor djaloshi nuk ishte pjesë e kuqezinjve edhe pse pati ftesë nga trajneri. Shkak u bë shërbimi i detyrueshëm ushtarak në Greqi, ku rregullorja e tyre nuk i lejon rekrutët të kalojnë kufirin. Sidoqoftë, nëse Panuçi e pëlqen, atëherë Durmishaj me siguri që do të marrë ftesë dhe në mars do të jetë pjesë e kuqezinjve në duelin kundër Turqisë.