AlbanianSport.com 27/11/2018 20:40
ASNN – Myrto Uzuni është ylli në ngjitje i Kombëtares. Ai po kalon një moment të shkëlqyer në ekipin e tij, Lokomotivën e Zagrebit, me të cilën shënoi sërish në fundjavën e shkuar, në duelin e mbyllur 2-2 kundër Osijekut. Uzuni shënoi golin e parë për ekipin e tij dhe dha kontribut në pikën e marrë.
Mediat kroate e kanë zgjedhur në faqet e para të tyre për cilësinë në rritje dhe natyrisht golin me vlerë që shënoi për Lokomotivën e Zagrebit, teksa është zgjedhur edhe si futbollist i javës në kampionatin elitar kroat.
“Çdo aksion që nis nga këmbë e tij, është shumë i rrezikshëm. Në mungesë të Dejan Radonjicc, atij i besohet të ekzekutojë edhe goditjet standarde. I rrezikshëm dhe kërcënon disa herë”, – shkruajnë sot mediat sportive në Internet në Kroaci.
Sulmuesi i krahut ishte i ftuar në grumbullimin e Kombëtares për ndeshjet ndaj Skocisë dhe Uellsit në mesin e këtij muaji, ku në të dy rastet është përzgjedhur titullar, nisur nga forma e mirë fizike dhe cilësitë teknike që sa vijnë e përmirësohen. Edhe vetë mediat kroate e quajnë Myrto Uzunin një yll që vetëm po ngjitet.