AlbanianSport.com 21.06.2015 11:25
ASNN – Frenim në negociatat për transferimin e Elseid Hysajt te Napoli. Dihet, dinamika e merkatos është nga më të paparashikueshmet dhe ndryshon nga ora në orë, por për momentin mediat italiane njoftojnë se klubi i presidentit Aurelio De Laurentis e konsideron të lartë çmimin prej 7 milionë eurosh që ka vendosur Empoli për kartonin e mbrojtësit të Kombëtares Shqiptare dhe për momentin ka devijuar duke i bërë Torinos një ofertë për Darmian, i cili luan në të njëjtin rol.
Për Darmian siç raporton “Gazzetta Dello Sport”, Napoli ka vënë në pjatë 8 milionë euro plus kartonin e Zapatas. Në gjurmët e Darmian është dhe Bajerni i Munihut që ofron për të 15 milionë euro por Torino kërkon 20 milionë. Në këtë mënyrë duket e vështirë që Napoli të arrijë te Darmian dhe lajmi për transferimin e vëmendjes nga Hysaj te mbrojtësi i Torinos mund të jetë edhe fryt i një tentative për të ushtruar presion ndaj Empolit në mënyrë që të ulë pretendimet ekonomike për kartonin e 21-vjeçarit shqiptar.
Hysaj në fakt është pjesë e një tratative më të gjerë mes dy klubeve, me Napolin që kërkon në paketë tre futbollistë nga Empoli për shumën e 20 milionë eurove, plus 3 milionë të tjera në formë bonusesh, kuotë që Napoli është i gatshëm ta paguajë për të marrë njëherësh Hysajn, Saponarën dhe Valdifioren. Për mbrojtësin kuqezi është një merkato e nxehtë që pritet të ofrojë të tjera zhvillime intensive.