AlbanianSport.com 28.07.2015 23:05
ASNN – Transferimi i Elseid Hysaj te Napoli mund të bëhet shumë shpejt realitet. Vetëm pak ditë pasi drejtuesit e Empolit u shprehën se mbrojtësi i Kombëtares shqiptare do të largohej nga Seria A, ata lenë të hapur një tjetër mundësi. Drejtuesit e klubit thonë se Napoli nuk ka hequr dorë, madje ka nisur të tjera tratativa për të marrë shërbimet e mbrojtësit.
Sidoqoftë, palët vazhdojnë të ndahen nga financat, pasi Empoli nuk ka ndërmend të shesë kartonin e Hysaj më pak se 5 milionë euro. Për futbollistin e kombëtares shqiptare interesohen edhe dy skuadrat e mëdha të futbollit gjerman, Shalke dhe Bajer Leverkusen. Kështu, Elseid Hysaj është vetëm një hap larg zhvillimit më madhor të karrierës së tij sportive deri më sot.
Kjo, pasi mësohet se pas takimit në Milano, drejtues të merkatos së Napolit kanë arritur akordin me mbrojtësin e Kombëtares shqiptare, 21-vjeçarin që është aktivizuar me Empolin vitin e kaluar në Serinë A. Marrëveshja me klubin napolitan është formale, teksa arkave të klubit të Empolit pritet t’i shkojnë 5 milionë euro, plus bonuse të tjera. Ndërsa për anësorin kuqezi është ofruar një kontratë 5-vjeçare.
Gjithçka pritet të zyrtarizohet ditën e mërkurë, kur lojtari të ketë kryer edhe vizitat mjekësore me Napolin.