AlbanianSport.com 30/10/2018 14:20
ASNN – Myrto Uzuni po kalon një moment magjik të karrierës së tij, sepse po lë gjurmë me Lokomotivën e Zagrebit në kampionatin kroat. Sot Uzuni shkëlqeu në Kupën e Kroacisë. Ai luajti titullar në duelin që Lokomotiva e Zagrebit pati në turin e 16-shes me Zadarin.
Skuadra rivale shënoi e para, por në minutën e 23-të Uzuni barazoi shifrat në 1-1, duke i hapur më pas rrugën bashkëlojtarëve të tij Krstanoviç dhe Datkoviç të shënonin për Lokomotivën e cila fitoi 3-1 në fushë të huaj. Përtej ndeshjes, rezultatit dhe lojës, duhet thënë se Uzuni po shënon rregullisht tashmë me skuadrën e tij kroate.
Ai ka fituar menjëherë rolin e titullarit dhe po jep kontribut në shërbim të skuadrës. Natyrisht, nuk është ende në një skuadër të madhe, por ai vetë ka thënë se e dëshiron Lokomotivën si trampolinë për të shkuar në një kampionat më të fortë dhe ekip më të madh në Evropë.
Së fundmi, theksojmë se ftesa e tij në Kombëtare nuk ka qenë e rastësishme. Ai po shkëlqen në këtë moment dhe fakti se trajneri Kristian Panuçi i besoi fanellë titullari në ndeshjen kundër Izraelit tregon shumë për djaloshin 23-vjeçar. Goli i fundit në kupë për ekipin kroat, vinte pas dy golave që ai ka realizuar në kampionat.
Si sulmues krahu, djaloshi shqiptar po tregon vlera dhe po ecën mjaft mirë.