AlbanianSport.com 19/08/2021 14:45
ASNN – Shqiptari shpërdoron 11-metërshin që ktheu rrjedhën e ndeshjes kundër Ferencvaroshit në Zvicër përballë Jang Bojs. Një mbrëmje që brenda pak sekondash u shndërrua nga një mundësi e lavdishme, në një rast për t’u harruar sa më shpejt. Kështu ka ndodhur me futbollistin shqiptar, Myrto Uzuni, i cili ka patur mundësinë e artë për ta kaluar skuadrën e tij, Ferencvaroshin, në epërsi, por e shpërdoroi atë.
Në minutën e 27-t të sfidës midis Jang Bojs dhe kampiones së Hungarisë, sulmuesi i përfaqësueses shqiptare kërkoi që të ekzekutonte ai goditjen nga pika e bardhë që u akordua në favor të skuadrës së tij kur shifrat ishin 1-1, edhe pse në fushë ishte Kharatin, i cili është ekzekutuesi i përhershëm i goditjeve tek Ferencvaroshi. Ky i fundit pranoi dhe Uzuni u paraqit te pika e bardhë.
Por gjuajtja e tij, edhe pse mposhti portierin, u ndal nga shtylla, dhe topi u kthye në lojë. Pereira e dërgoi topin në rrjetë për Ferencvaroshi, por u sinjalizua për pozicion faull dhe kësisoj goli u anulua. Ky episod shërbeu si pika e kthesës për këtë ndeshje, teksa zviceranët kanë vijuar ta fitojnë ndeshjen me shifrat 3-1, edhe pse e luajtën shumicën e ndeshjes me 10 lojtarë.
Duke folur pas ndeshjes, si trajneri Peter Stëger, ashtu edhe portieri Denes Dibush, e anashkaluan episodin e Uzunit, duke shprehur besimin për përmbysjen e rezultatit në ndeshjen e kthimit. “Në rrethana të tjera do të kisha qenë i lumtur me një humbje 2-3, por nuk jam”, – tha austriaku i stolit të kampiones hungareze. “Sidoqoftë, kemi edhe 90 minuta të tjera në shtëpinë tonë”, – shtoi ai.
Ndeshja e kthimit midis Ferencvaroshit dhe Jang Bojs luhet të martën e ardhshme, duke nisur nga ora 21:00.