AlbanianSport.com 12/02/2024 23:05
ASNN – Muja dhe Muçi, debutim kuqezi me kontraste. 25-vjeçari, gol si zëvendësues, ish-lojtari bardheblu, titullar në barazimin pa gola. Pasi përmbyllën transferimin në ditën e fundit të merkatos, duke ardhur përkatësisht nga Belgjika dhe Polonia në Turqi, dy lojtarë kuqezi kanë bërë këtë të hënë debutimin e tyre në fushën e lojës. Dhe Arbnor Muja dhe Ernest Muçi e kanë nisur me kontraste kuqezi aventurën e tyre në nivelin më të lartë të kampionatit turk të futbollit, në Superligë.
Muja e ka nisur nga stoli ndeshjen e parë, të cilën skuadra e tij, Samsunspor e ka luajtur në shtëpi përballë Antaljaspor, në kuadër të javës së 25-të. Ai është aktivizuar në minutën e 69-të në vend të Olivier Ntçamit dhe ka arritur të gjejë rrugën e rrjetës në fund të takimit, duke bërë kështu një debutim me gol. Ndërkohë, Ernest Muçi e ka nisur si titullar ndeshjen e tij të parë me Beshiktash duke luajtur për 90 minuta në barazimin 0-0, që skuadra e tij ka arritur në fushë të huaj përballë Kajzerisporit.
Pas ndeshjes, trajneri i Beshiktashit, Fernando Santos ka deklaruar: “Duhet të ndryshojmë disa gjëra duke punuar shumë. Ne kishim vështirësi të bënim një sulm të organizuar, nuk ishim produktivë në sulm”. Në pjesën e parë talenti kuqezi pati dy raste të mira për gol por pa gjetur rrjetën. Edhe në të dytën ish-sulmuesi i Tiranës dha shkëndija që kënaqin tifozët dhe trajnerin e Beshiktashit. Në fund të ndeshjes ai u vlerësua dhe me notën pozitive 7.0.