AlbanianSport.com 14.02.2017 08:45
ASNN – Ishte cilësuar si një nga lëvizjet më të goditura të merkatos dimërore në Bundesligën gjermane dhe mbrojtësi i Kombëtares kuqezi, Mërgim Mavraj, nuk ka zhgënjyer. Shtatlarti nga Kosova, i cili, vetëm pak javë më parë u transferua te Hamburgu, po e fiton bastin e tij personal.
Ashtu si edhe shoku i tij i skuadrës, Papadopulos, edhe Mavraj është përzgjedhur në 11-shen ideale të revistës prestigjioze gjermane “Kicker”, pas ndeshjes pothuajse të përsosur në vizitën e Laipzigut, ku Hamburgu shkatërroi bindshëm, 3-0, skuadrën e vendit të dytë të Bundesligës.
Në takimin e së shtunës, Mavraj e fitoi pjesën më të madhe të dueleve dhe kjo ka bërë që ai të marrë notën 2 nga gazeta gjermane. Një moment i mirë ky për mbrojtësin shqiptar, i cili i dërgon sinjale pozitive edhe trajnerit të Kombëtares, Xhovani De Biazi, disa javë përpara duelit eliminator të Palermos kundër Italisë.
Kjo është hera e katërt që Mavraj rreshtohet në formacionin më të mirë të javës në Bundesligë dhe përpara shqiptarit janë vetëm Keita, Forsberg e Levandovski. Për më tepër, me Mavraj në ekip, Hamburgu tashmë është larguar nga zona e ftohtë e renditjes, pas 20 javëve të para, duke u ngjitur në vendin e 15-të, me 19 pikë dhe ka dy fitore radhazi në kampionat.
Skuadra e drejtuar nga Mark Gisgdol ka arritur të sigurojë edhe biletën për në fazën çerekfinale të Kupës së Gjermanisë pas fitores 2-0 ndaj Këlnit. Në duelin përballë ish-skuadrës së tij, Mavraj bëri një tjetër paraqitje pozitive, duke bindur drejtuesit e klubit aktual se bënë zgjedhjen e duhur në momentin, duke i dorëzuan shqiptarit çelësat e mbrojtjes në dorë.