Albaniansport.net 18.01.2016 14:50
ASNN – Mërgim Mavraj është më i fundit që mund të shtojë radhët e futbollistëve shqiptarë në Serinë A. Sipas asaj që publikohet te revista gjermane “Kicker”, mbrojtësi i Këlnit është vënë në shënjestrën e Sampdorias, që kërkon të përforcohet në repartin e prapavijës.
Dhe futbollisti i Kombëtares kuqezi shihet si personi ideal për skuadrën gjenoveze të drejtuar nga trajneri Vinçenco Montela. Megjithatë, për momentin kjo histori është vetëm në kuadrin e idesë, pasi sipas trajnerit të Këlnit, Jorg Shmadtke, skuadra italiane ende nuk ka kontaktuar me drejtuesit e klubit gjerman.
Nëse transferimi i Mavrajt te Sampdoria kryhet, atëherë ai do t’i bashkohet Etrit Berishës, i cili është pjesë e Lacios si dhe Arlind Ajetit, i cili ka lënë Zvicrën për të kaluar te Frosinone. Një tjetër futbollist i Kombëtares shqiptare që do të luajë në kampionatin italian është edhe Berat Gjimshiti, i cili pritet të zyrtarizohet si lojtar i Atalantës.