AlbanianSport.com 23.08.2015 14:35
ASNN – Një nga lojtarët më të mirë të skuadrës kombëtare të Shqipërisë, Mërgim Mavraj, është kthyer në stërvitje të rregullt, duke lënë pas dëmtimin disamujor, madje pas një operacioni në këmbë që e rrezikoi jo pak karrierën e tij.
Më në fund, Mavraj është parë të kryejë seancën e parë stërvitore të rregullt, që do të thotë se po punon për t’u rikthyer sa më shpejt në radhët e Këlnit, ekipit të Bundesligës së parë gjermane.
Por Mavraj nuk pritet të jetë për dy ndeshjet e radhës në kuadër të Eliminatoreve të “Euro 2016”-tës, që Shqipëria luan në grupin I, ndaj Danimarkës, më 4 shtator 2015, dhe ndaj Portugalisë, më 7 shtator 2015.
Një rikuperim në kohë rekord për këto dy ndeshje nuk mund të ndodhë, të paktën kështu thonë edhe burimet në FSHF dhe pranë futbollistit. Kosovarit i duhet më shumë se një muaj kohë që të kthehet rregullisht në lojë.
Kështu që ai mund të bëhet gati vetëm për ndeshjet ndaj Serbisë dhe Armenisë që luhen përkatësisht më 8 dhe 11 tetor, gjë që fillimisht ishte dukur e pamundur. Trajneri Xhovani De Biazi e ka vajtuar mungesën e tij në fanellën kuqezi.