AlbanianSport.com 20/10/2018 07:05
ASNN – Në Serinë B italiane, ndeshja hapëse e javës së tetë ishte ajo mes Specias dhe Peskarës, fituar nga kjo e fundit me shifrat 3-1. Në këtë takim gjurmë la dhe mesfushori i Kombëtares kuqezi, Ledian Memushaj, që ishte nga më të mirët e skuadrës së Peskarës.
Vlonjati ishte protagonist tek goli i parë, sepse ekzekutoi saktë goditjen e këndit, ku topi në zonë u devijua nga Mankuzo e përfundoi në rrjetë. Peskara shënoi dy gola të tjerë në këtë ndeshje, me autor Monakelon, ndërsa për Specian golin e vetëm e shënoi Galabino.
Ishte një fitore e merituar për Peskarën në fushë të huaj dhe ku Ledian Memushaj ishte padyshim një nga më aktivët për skuadrën e tij. Pas këtij takimi, Peskara ndihet mjaft e qetë, pasi ndodhet në vend të parë me 18 pikë, shkëputur ndjeshëm nga Verona e vendit të dytë që ka 13 pikë.
Me këtë ritëm, Peskara e Memushajt ka të drejtë të shpresojë dhe të besojë se do të rikthehet sezonin tjetër në Serie A.