AlbanianSport.com 26/08/2021 18:05
ASNN – Sulmuesi kuqezi merr vlerësime nga mediat britanike për ndeshjen e parë me Sauthemptonin. Armando Broja ka realizuar dy gola në debutimin e tij me skuadrën e re Sauthemptonin, që, të mërkurën në mbrëmje ka triumfuar e thellë, 8-0 ndaj Njuport Kauntit në kuadër të Kupës së Ligës Angleze. Shqiptari realizoi golin e parë për Sauthemptonin, në minutën e 9-të, dhe të 6-tin, në minutën e 57-të, ndërsa u aktivizua për 65 minuta.
Dhe mediat britanike e kanë vlerësuar lart këtë paraqitje të shqiptarit, duke theksuar se ai nuk ka zhgënjyer që në këtë debutim të tij. “Sulmuesi shqiptar ka kaluar një sezon të shkuar mjaft të mirë tek skuadra holandeze e Viteses së Arnhemit, duke shënuar 10-gola në 30 ndeshje dhe duke e ndihmuar”, – shkruan një nga mediat britanike, që e cilëson më tej marrjen hua të tij nga Çellsi si një nga vendimet më me leverdi për Sauthemptonit.
Madje trajneri Ralf Hasenhutl pati nxituar para ndeshjes ta qetësonte klubin londinez se Broja do të aktivizohej rregullisht dhe ndeshja e Kupës dëshmoi se shqiptari e tregoi se pse e meriton aktivizimin më të shpeshtë duke shënuar 2 nga 8 golat e skuadrës së tij. Kështu, Armando Broja e ka nisur në mënyrën më të mirë të mundshme aventurën e tij te skuadra e Sauthemptonit. Kjo paraqitje e tij është një ogur i mirë edhe për Kombëtaren kuqezi në prag të ndeshjeve që kombëtarja kuqezi ka në 10-ditëshin e parë të shtatorit, në kuadër të Eliminatoreve të Botërorit “Katar 2022”.