AlbanianSport.com 03/01/2019 17:10
ASNN – Ajo që mediat greke shkruanin ditët e fundit për një largim të Mërgim Mavrajt nga Arisi i Selanikut, duket të jetë e vërtetë, përderisa mediat sportive gjermane aludojnë për një kalim të mbrojtësit të përfaqësueses së Shqipërisë në radhët e Ingolstadit në Bundesligën 2. Në të vërtetë këtë lajm e përforcon dhe e bën fakt të kryer edhe “KTV”-ja e Kosovës.
Ajo saktëson se Mavraj ka mbyllur kontaktin me Arisin dhe tani po përpiqet të fokusohet tërësisht tek skuadra e ligës së dytë gjermane. Në fakt, nuk jepet asnjë e dhënë konkrete për mënyrën e kalimit, në formë huazimi apo si futbollist që ka prishur në mënyrë përfundimtare kontratën me grekët, por besohet se Mavraj do të zyrtarizohet shumë shpejt tek ekipi gjerman.
Sipas këtyre informacioneve, mbrojtësi i kombëtares kuqezi, do të nisë stërvitjen me ekipin gjerman gjatë fazës përgatitore dimërore që do të zhvillohet Spanjë. Ingolshtadti e mbylli pjesën e parë të sezonit në Bundesligën 2 me vetëm 10 pikë dhe ka nevojë për përforcime në prapavijë për të bërë këtë repart më efikas. Megjithatë, mbetet të shihet nëse kjo lëvizje do të mund të realizohet edhe zyrtarisht në ditët në vijim.