AlbanianSport.com 11.01.2017 18:45
ASNN – Përvoja bën gjithmonë diferencën dhe cilësia bie në sy brenda një kohe të shkurtër. Kështu, ka mjaftuar ndeshja e parë miqësore që Mërgim Mavraj të tregojë vlerat e tij te Hamburgu. Edhe pse një ndeshje me një skuadër nën nivelin e Bundesligës, shqiptari ka dhënë sinjalet e qetësisë në repartin e prapavijës për Hamburgun, që ka mundur 5-0 skuadrën e Al-Nasrit në Dubai.
Jo vetëm drejtuesit e klubit kanë thurur elozhe për shqiptarin, por edhe vetë paraqitja e prapavijës ka treguar që gjermanët kanë fituar më tepër maturi dhe siguri në veprime. “Është një fanellë e rëndë, – ka deklaruar Mavraj pas debutimit me skuadrën e tij të re. – Hamburgu është klub i madh. Më vjen mirë që bëmë një paraqitje pozitive, pasi çdo ndeshje është e vlefshme.”
“Sidoqoftë, mendoj që kemi ende disa gjëra për të përmirësuar dhe na duhet të punojmë që të eliminojmë çdo defekt”, – ka shtuar mbrojtësi i Kombëtares kuqezi. Edhe drejtori sportiv i klubit ka shprehur fjalë pozitive për ekipin, sidomos Mavrajn. “Mendoj se, me të në prapavijë, dhe, për faktin që ai njihet me Zhurunë, do të na sjellë më shumë qetësi dhe garanci në mbrojtje”, – ka deklaruar Jens Todt.