AlbanianSport.com 29/01/2019 23:35
ASNN – Mërgim Mavraj e nis me fitore në Bundesligën 2, Hysaj me muskuj “të thyer” sheh Napolin të shkërmoqet. Sot në mbrëmje, në kuadër të Kupës së Italisë, Milani regjistroi një fitore të madhe 2-0 ndaj Napolit, duke siguruar gjysmëfinalen, atje ku do të presë fituesin e çiftit Inter-Lacio që luhet të enjten. Ishte një mbrëmje magjike për milanistët, pasi çdo gjë shkoi në perfeksion. Mbi të gjitha shkëlqeu blerja e re milaniste, polaku Kristof Piatek, i cili realizoi dy gola, në minutën e 11-të dhe atë të 27-ën, duke hedhur në “tapet” një prej skuadrave pretendente sikurse është Napoli.
Në këtë ndeshje nuk ishte fare i grumbulluar Elseid Hydaj, i cili e pa disfatën e skuadrës së tij nga tribunat. Mbrojtësi shkodran kishte probleme dëmtimi dhe i kishte kërkuar trajnerit të mos sforcohej më tej dhe për rrjedhojë nuk ishte i gatshëm për këtë ndeshje, por trajneri Karlo Ançeloti mund t’i besojë Hysajt në duelin ndaj Sampdorias në fundjavë në kuadër të kampionatit. Ndërkohë, mbrojtësi tjetër kuqezi, Mërgim Mavraj, ishte titullar sot në ndeshjen e fituar nga ekipi i tij Ingolshtadt në Bundesligën 2 kundër ish-ekipit të tij vite më parë, Grojther Fyrthit, me rezultatin 1-0.
Fitorja merr rëndësi të veçantë sepse skuadra e Mavrajt nuk luante në fushën e saj dhe trepikëshi për Ingolshtadin vjen në momentin e duhur. Mavraj luajti 90 minuta dhe bëri mjaft mirë detyrat e tij, duke qenë një lider i vërtetë në mbrojtjes. Megjithëse mbrojtësi kuqezi vinte nga një dëmtim jo i lehtë, pasi kishte thyer dorën dhe nuk ishte rikuperuar plotësisht, ai ia doli të luajë në kapacitetin e tij maksimal dhe të ndihmonte skuadrën të arrinte maksimumin, duke e nisur mbarë aventurën e tij në kampionatin gjerman të ligës së dytë.
Pas kësaj ndeshjeje Ingolshtadti mbetet i parafundit me 13 pikë, por me kaq pikë janë tri skuadrat e fundit, përfshi dhe Ingolshtadtin, ndërsa ekipi që i shpëton rënies (vendi i 15-të) është vetëm një pikë më shumë, ndërsa ekipet që janë distancuar nga fundit janë 5-9 pikë larg.