AlbanianSport.com 10/11/2018 22:15
ASNN – Grekët ngatërrojnë Mavrajn me Panuçin, dyshime nëse mbrojtësi luan të hënën në Aris i Selanikut-Apollon Smirna. Kombëtarja kuqezi do të nisë grumbullimin të hënën në kuadër të ndeshjeve ndaj Skocisë më 17 nëntor dhe Uellsit më 20 nëntor 2018. Në këtë grumbullim trajneri Kristian Panuçi ka ftuar lojtarët më në formë të momentit, përfshi dhe dyshen e skuadrës greke të Arisit të Selanikut, Mërgim Mavraj dhe Migjen Basha.
Por mediat greke pretendojnë për një përplasje në telefon midis trajnerit italian dhe mbrojtësit kuqezi, pasi kosovari i ka kërkuar të qëndrojë të hënën në Greqi për të qenë pjesë e skuadrës për ndeshjen që Aris do të ketë ndaj Apollon Smirnës. Vetë lojtari ka shprehur dëshirën të luajë, për më tepër që në këtë ndeshje do të jetë edhe Migjen Basha. Sipas mediave greke, Panuçi nuk ka pranuar në mënyrë kategorike dhe thuhet se urdhri ka qenë i prerë.
Që lojtari të hënën të jetë në Durrës në grumbullimin e ekipit kombëtar. Këtë reagim të trajnerit nuk e ka pritur mirë vetë Mavraj, ndërkohë që edhe klubi i Arisit ka mbetur i shokuar nga rreptësia e qëndrimit, ku me shkresë nga FSHF duhet që lojtari të paraqitet urgjentisht. Dihet që FIFA është e ndjeshme ndaj skuadrave kombëtare dhe u ka vënë kushte të forta klubeve që ato të plotësojnë me patjetër kërkesat e federatave përkatëse dhe të mos bëhen pengesë për lojtarët që kërkohen në skuadrat kombëtare.
Nëse Aris nuk vepron sipas rregullave e pëson rëndë dhe grekët e klubit të Selanikut e dinë mirë këtë. Kurse tolerimi ndaj Migjen Bashës është bërë për faktin se ai nuk do të jetë në ndeshjen me Skocinë, si pasojë e pezullimit prej kartonëve të verdhë e për pasojë do të jetë vetëm në ndeshjen miqësore me Uellsin. Kështu që e gjithë vëmendja është tek Mavraj. Mbetet të shihet serioziteti i mediave greke në këtë rast, pasi nuk ka qëndrim të Mavrajt me deklaratë konkrete me zë e figurë, kështu që raportimi i mediave sportive greke ngjall dyshime.