AlbanianSport.com 26/01/2019 16:25
ASNN – Maska në fytyrë po i sjell fat, Manaj në “radarët” e tre gjigandëve evropianë. Rei Manaj kaloi një dëmtim të frikshëm pak ditë më parë, pasi nga një përplasjeje me një lojtar kundërshtar në duelin Albasete-Granada, goditja në kokë i shkaktoi thyerjen e hundës dhe fraktura në fytyrë, të cilat ende nuk po e lejojnë të kthehet titullar në radhët e Albasetes në “Segunda Divizion”.
Sidoqoftë, kjo nuk e ka penguar atë të marrë vëmendje në merkato nga klube të njohura evropiane. Duket e habitshme por Manaj në këtë moment ka marrë vëmendjen e të paktën 3 klubeve gjigande në Evropë, dy në Bundesligën e Gjermanisë dhe një në La Liga spanjolle. Mediat sportive spanjolle shkruajnë se maska me shqiponjë që vuri në fytyrë për t’u mbrojtur nga një dëmtim tjetër po i sjell fat.
Duket ironike kjo gjë, por Manajn e kërkojnë Hanoveri dhe Shtutgarti në Gjermani, si dhe Sevilja në Spanjë, skuadra me emër të madh dhe të njohura për forcën dhe cilësitë e tyre. Nuk janë vetëm mediat spanjolle, pasi më herët ka qenë Xhanluka Di Marzio ai që ka folur rreth mundësisë së transferimit të sulmuesit shqiptar në një nga këto ekipe në ditët e fundit të merkatos së janarit.
Madje Di Marzio ka futur në këtë listë pretendentësh edhe Valencian, e cila po interesohet për një lojtar të së ardhmes në vijën e parë të sulmit. Të gjithë kërkojnë një numër 9 në repartin sulmues dhe nga karakteristikat e lojtarëve të studiuar, shqiptari Rei Manaj është ai që jep më shumë garanci.