AlbanianSport.com 10.02.2016 08:35
ASNN – U transferua tek Interi në fillim të këtij sezoni dhe u fol se do të qëndronte me ekipin e të rinjve, por Rei Manaj është grumbulluar nga trajneri Roberto Mançini thuajse gjithmonë me ekipin e parë, megjithëse minutat e aktivizimit më nivelin më të lartë të futbollit italian kanë qenë të pakta.
Por, talenti 18-vjeçar është rikthyer me ekipin e të rinjve të Interit në një ndeshje mjaft të rëndësishme për ta, në gjysmëfinalen e kupës në ndeshjen ndaj Lacios. Manaj ka arritur të tregojë vlerat në këtë takim, duke shënuar dy herë në barazimin 2-2, por është Interi që shkon në finale, pasi kishte fituar minimalisht ndeshjen e parë.
Me dy golat e shënuar, Manaj me siguri do të tërheqë vëmendjen e Mançinit për ta aktivizuar më shumë në ndeshjet e mbetura të kampionatit. Ndërkohë, ai synon të luajë sa më shumë për të qenë kandidat për Kombëtaren e Xhovani De Biazit në Evropianin e verës, “Francë 2016”.