AlbanianSport.com 10/03/2024 22:35
ASNN – Ata të dy janë padyshim dyshja kuqezi që po i dërgon sinjalet më të forta trajnerit të Kombëtares, Silvinjos, sa i përket vijën së sulmit në Evropianin e Gjermanisë. Në fakt, golat kuqezi vazhdojnë të pushtojnë nivelin më të lartë të Kampionatit Turk të Futbollit, Superligën. Kjo sepse Rei Manaj dhe Sokol Cikalleshi forcuan pozitat në garën për golashënues, pas paraqitjeve bindëse në ndeshjet e javës së 29-të.
Lushnjari realizoi një gol tjetër spektakolar në humbjen 1-2 që Sivaspori pësoi përballë Alaniasporit. Një ekzekutim i shkëlqyer, edhe pse nuk mjaftoi, i Manajt që luajti për 90 minuta dhe u zgjodh më i miri në fushë. Një notë 7.1 për 27-vjeçarin, që tashmë ngjitet në kuotën e 18 golave sezonalë, 15 prej të cilëve në kampionat.
Manaj barazohet me Mauro Ikardin në këtë renditje, ku në ndryshim nga shqiptari, ish-lojtari i Paris SG-së ka dhuruar edhe 7 pasime për gol. Hëpërhë, kreu i golashënuesve mbahet nga Edin Xheko. Por, me këtë paraqitje, Manaj është shumë pranë rikthimit në Kombëtaren shqiptare.
Vlerësimi i më të mirit në fushë ishte edhe për Sokol Cikalleshin. 33-vjeçari u tregua vrastar nga 11 metra larg, teksa realizoi dy herë dhe u ngjit në kuotën e 11 golave këtë sezon. Kavajasi konfirmohet gjakftohtë para portës, pasi 8 prej tyre u shënuan nga pika e bardhë e 11-metërshit.
Në barazimin 2-2 ndaj Adana Demirsporit, Cikalleshi u vlerësua me notën 8.3, për të qenë shumë pranë përzgjedhjes në formacionin e javës në Superligën e Turqisë. Edhe 33-vjeçari është një kandidat i fortë për tu përfshirë në kombëtaren kuqezi, që kërkon garanci për Kampionatin Evropian, që mbahet në Gjermani.