Adriatik Balla 02.06.2015 12:25
Lorik Cana nuk e ka thënë ende fjalën e fundit për vazhdimësinë e karrierës së tij, duke pritur që Lacio të hyjë në bisedime me të për ecurinë e mëtejshme në marrëdhëniet midis tyre. Por fitorja e fundit e lacialëve në javën e fundit të kampionatit italian ndaj Napolit me rezultatin 4-2 dhe sigurimi i vendit të tretë në renditjen e përgjithshme të Serisë A, ka sjellë pjesëmarrjen e Lacios në Ligën e Kampioneve.
Dhe ky është një shans i madh për ekipin dhe lojtarët shqiptarë që luajnë me Lacion, të tillë si Cana, Berisha dhe Strakosha. Për Canën ka dhe një mundësi largimi, por sigurimi i pjesëmarrjes në veprimtarinë më prestigjioze të klubeve të kontinentit, ka bërë që kosovari të dyzohet, për të mos thënë se i pëlqen ideja të luajë në Evropë me Lacion, prandaj ka kërkuar gjetjen e një bashkëpunimi të ngrohtë me drejtuesit e klubit.
Përtej faktit nëse do të qëndrojë tek Lacio apo do të provojë një aventurë të re, ai nuk e ka përjashtuar mundësinë ta përmbushë detyrimin kontraktual, pra të qëndrojë edhe një vit tek Lacio, pasi kjo skuadër, në fund të fundit, po luan në Ligën e Kampioneve. “Kjo është e sigurt, pasi kam dhe një vit kontratë”, – ka deklaruar kapiteni kuqezi, duke folur për gazetën e njohur franceze “L’Equipe”.
“Unë nuk po e zbuloj tani Ligën e Kampioneve, pasi unë e njoh tashmë atë, – ka vijuar Cana. – Por, për të ardhmen time, do ta shohim mirë, do ta diskutoj me drejtuesit, do të marrim një vendim të gjithë bashkë dhe unë jam i sigurt se do të gjejmë zgjidhjen më të mirë.”