AlbanianSport.com 28/02/2019 19:20
ASNN – Forma e mirë e lojtarëve të Kombëtares në këtë periudhë është sa e mirë aq dhe delikate për trajnerin italian të kuqezinjve, Kristian Panuçi. E mirë sepse trajneri do të ketë mundësinë e zgjedhjes së lojtarëve që janë më ën formë dhe që përmbushin shijet e tij tekniko-taktike, por ka dhe vështirësi që lidhen me konkurrencën e fortë dhe ku jo të gjithë dlo të kenë mundësinë të marrin ftesë apo që të angazhohen. Kështu që do të lindin pakënaqësi, sepse në këtë moment shumica e lojtarëve janë në formë të mirë sportive.
Një nga lojtarët që e ka pretendimin të ftohet në Kombëtares është Azdren Llullaku, i cili luan me Astra Xhjurxhju në Rumani, me të cilën ka shënuar shumë gola dhe ka realizuar disa pasime goli, duke qenë ndër më të mirët e ekipit të tij. Mbrëmë Llullaku ishte sërish protagonist për ekipin e tij, pasi në minutën e 5-të dha një pasim ideal për njërin prej shokëve të tij të ekipit, i cili me portën e boshatisur nuk e pati të vështirë ta shtynte sferën në rrjetë.
Astra e fitoi ndeshjen ndaj Kalarasit me shifrat 2-1 dhe u kualifikua në finale e Kupës së Rumanisë. Dhe kjo falë lojës së mirë të Llullakut që pati kontribut në këtë rezultat dhe kualifikim. Duhet thënë se Panuçi ka shumë lojtarë për të ftuar në repartin ofensiv, sepse disa po kalojnë një moment mjaft të mirë. Kujtojmë që janë në formë Bekim Balaj, Sokol Cikalleshi, Rei Manaj, Armand Sadiku, Myrto Uzuni, Françesko Tahiraj e sidomos Fiorin Durmishaj që po shkëlqen në kampionatin grek, me skuadrën e Panioniosit.