AlbanianSport.com 19.01.2015 09:55
ASNN – Ndonëse e ka luajtur një ndeshje zyrtare me fanellën e ekipit të ri, një ndeshje të cilën nuk e përfundoi dot, Ermir Lenjani ende nuk ka debutuar me ekipin e tij të ri, Renë.
Mesfushori i Kombëtares së Shqipërisë luajti javën e shkuar për herë të parë në Kupën e Ligës Franceze, ku u ndëshkua me karton të kuq në minutën e 76-të, por nuk ka qenë i grumbulluar për ndeshjen dje në kampionat ndaj Sent-Etienit.
Dhe, përkundër një ideje të parë, shkak nuk ka qenë kartoni i kuq, pezullimi nga i cili vlen vetëm në Kupë dhe që do të shlyhet sezonin tjetër, duke qenë se Renë u eliminua), por një dëmtim i lehtë që lojtari kuqezi pësoi në seancën e fundit stërvitore.
Me qëllim që të mos rrezikonte, trajneri nuk e grumbulloi fare në 18-she kosovarin. Ndërkohë, mësohet se Lenjani mund të debutojë në kampionati më 25 janar, në takimin ndaj Kaenit. Po kështu, ai mund të luajë ditën e enjte, kur Rena të presë Reimsin në përballjen e vlefshme për Kupën e Francës.