AlbanianSport.com 31/10/2018 11:35
ASNN – Një nga mbrojtësit më të spikatur të përfaqësueses tonë, Naser Aliji, kishte prej disa kohësh pa skuadër dhe po kalonte një moment të vështirë. Përpos një fatkeqësie familjare, Aliji provoi edhe ankthin e gjetjes së një skuadre, sepse pritja po i dëmtonte karrierën. Dhe më në fund vjen një lajm i mirë.
Janë mediat sportive rumune që njoftojnë se ecejaket e Alijit kanë marrë fund. Dinamo e Bukureshtit ka shprehur interesimin për mbrojtësin e majtë të Kombëtares së Shqipërisë dhe lojtari pret vetëm të nënshkruajë kontratën deri në fund të sezonit me klubin e shquar të kampionatit rumun, pra Dinamon e Bukureshtit.
Skuadër me të cilën ka luajtur më parë edhe legjendari i futbollit shqiptar, Sulejman Demollari. Referuar informacioneve të para që prezantojnë mediat sportive rumune, bëhet e ditur se Alijin e ka bindur trajneri Mirçea Redniç, i cili ka insistuar për të afruar mbrojtësin kuqezi, i cili do të kalojë edhe zyrtarisht te Dinamo rumune në ditët e ardhshme.
Kontrata pritet të zgjatë fillimisht deri në fundin e këtij sezoni me të drejtë rinovimi për një tjetër edicion. Theksojmë se Aliji ka qenë një zgjedhje e trajnerit Xhovani De Biazi, si pasues i Ansi Agollit në krahun e majtë të mbrojtjes. Në ato ndeshje që ka luajtur ky futbollist ka lënë mbresa të mira.
Dhe pavarësisht se nuk ishte në fushë në Evropianin e Francës në 2016-ën, ishte një nga elementët e përzgjedhur. Dy vitet e fundit ka vuajtur për të gjetur një skuadër të stabilizuar dhe ka luajtur shumë pak. Të gjithë shpresojnë që Aliji të kthehet në formën optimale e pse jo të marrë ftesë nga Kristian Panuçi në ekipin kuqezi.