AlbanianSport.com 30/10/2018 07:55
ASNN – Lacio pësoi disfatë të rëndë kundër Interit në kuadër të javës së 10-të të nivelit më të lartë të Kampionatit Italian, Serisë A. Në këtë takim shkëlqeu Mauro Ikardi me dy gola, ndërsa një gol realizoi edhe Brozoviç. Për Lacion në qendër të kritikave ishte dhe portieri Thomas Strakosha, i cili jo vetëm mori notë të dobët në këtë përballje, por edhe kritikat e shfrenuara të trajnerit Simone Inzagi.
Ky i fundit nuk i kurseu thumbimet, duke thënë hapur se nuk mbante mend gjatë ndeshjes që Strakosha të kishte bërë ndonjë pritje. “Ne këto lloj ndeshjesh, – u shpreh Inzagi, – nuk mund te pësosh gola si i pari. Nuk mbaj mend ndonjë pritje te Strakoshës, por Interi e meritoi, nuk ka justifikime. Duhet pranuar se Interi është më superior ndaj nesh në çdo aspekt.”
“Me të mëdhenjtë na mungon besimi që kemi me skuadrave të tjera, – theksoi më tej trajneri i të kaltërve kryeqytetas. – Ne jemi të katërtit në renditje, le të shohim përpara.” Lacio mbeti në vend të 4-t me 18 pikë, plot 10 pikë larg Juventusit që mban kryesimin e Serisë A. Interi dhe Napoli kanë nga 22 pikë në renditje, kështu që Lacio mund të ngushëllohet me faktin që, pavarësisht disfatës, e ruajti vendin e 4-t.