AlbanianSport.com 21.05.2015 09:45
ASNN – Asnjë trofe kështu për ekipin kryeqytetas ku luajnë shqiptarët Etrit Berisha, Lorik Cana dhe Thoma Strakosha. Portieri Berisha ka luajtur në finalen e mbrëmshme, pa arritur të ngrejë trofeun e tij të parë në Itali. Kjo pasi Juventus ka siguruar trofeun, e dytë të rëndësishëm në këtë sezon duke fituar Kupën e Italisë në finalen e luajtur përballë Lacios, në një ndeshje ku paraqitja e gardianit kuqezi të portës së kryeqytetasve italianë la për të dëshiruar.
Kështu, pas kampionatit, Juventusi ka fituar edhe Kupën e Italisë, një trofe që nuk e merrte prej 20 vitesh dhe tashmë do të synojë të fitojë edhe Ligën e Kampioneve përballë Barcelonës. Ekipi torinez ka mundur Lacion me rezultatin 2-1 në finalen e zhvilluar në Stadiumin “Olimpiko” të Romës, ku janë dashur edhe pjesët shtesë dhe ku portieri Berisha ka patur pjesën e tij të përgjegjësisë, në të dy golat e pësuar, qoftë për ngurrimin për të dalë në krosim, qoftë për vonesën në reagim.
Ndeshja ka nisur me gola që në minutat e para. Fillimisht ka shënuar Lacio me anë të rumunit Radu, në minutën e 3-të, por Juventus ka barazuar në 1-1 rezultatin me Kielinin vetëm 7 minuta më pas. Koha rregullt ka përfunduar pa gola të tjerë. Shtesën e parë ka qenë më e emocionuese ku Xhorxheviç ka goditur shtyllën për Lacion dhe, më pas, Matri, i futur në lojë si zëvendësues i Jorentes, ka shënuar golin e fitores. Kjo është hera e 10-të që Juventusi fiton Kupën e Italisë, por mund të quhet edhe një hakmarrje për finalen e vitit 2004, ku triumfoi Lacio.