AlbanianSport.com 27.12.2016 07:00
ASNN – Portieri i Kombëtares së Shqipërisë, Etrit Berisha, është vlerësuar si zbulimi i këtij edicioni në nivelin më të lartë të Kampionatit Italian të Futbollit, në Serinë A. 27-vjeçari Berisha ka bërë paraqitje të mira gjatë pjesës së parë të edicionit 2016-2017 me skuadrën e Atalantës.
Në 11 ndeshje që ishte titullar për Atalantën, ku u huazua nga skuadra tjetër italiane, Lacio, ai ka fituar 7 ndeshje, ka barazuar një herë dhe ka pësuar vetëm dy humbje. Në 10 ndeshje, gardiani kuqezi i portës ka pësuar vetëm 7 gola dhe ka arritur të shpëtojë 5 herë portën e Atalantës kur ishte një kundër një me kundërshtarët.
Ish-portieri i 2 Korrikut të Prishtinës, i ka munguar Atalantës në 5 ndeshjet e fundit, për shkak të një dëmtimi. “Etrit Berisha nuk e pati kurrë mundësinë të tregojë vlerat e tij te Lacio, por është kthyer në vlerë të madhe tek Atalanta”, – shkruan për shqiptarin e përditshmja e mirënjohur sportive italiane, “La Gazzetta dello Sport”.
“Ai ka zënë një vend interesant në formacionin e befasive të këtij edicioni në Itali, – vijon e përditshmja në fjalë. – Berisha ka lënë prapa shumë portierë të skuadrave të ndryshme në Itali.” Portieri tanimë 27-vjeçar ka një kontratë deri në verën e vitit 2017 me Lacion.
Por, gjasat për ta vazhduar karrierën tek të kaltërit kryeqytetas janë të vogla. Tek Lacio, ish-portieri i përfaqësueses së Kosovës u transferua në shtator të vitit 2013, duke ardhur nga skuadra suedeze e Kalmarit.