AlbanianSport.com 10.01.2016 18:20
ASNN – Sikundër ndodh gjithnjë përgjatë gjithë muajit janar, lojtarët e Kombëtarespo permenden në merkato, por jo domosdoshmërisht për mirë. Kështu, edhe pse trajneri Roberto Mançini ka thënë se Rei Manajn nuk do ta largojnë nga Interi, nuk mungon interesimi nga Bolonja. ku futbollisti 18-vjeçar shikohet si një përforcim për skuadrën e Serisë A.
Më parë për sulmuesin e ri shqiptar është intersuar edhe Frosinone. Ndërkaq, një pistë e re merkatoje del në pah për Shkëlzen Gashin. Tek Bazeli nuk mund të qëndrojë më dhe kjo dihet prej kohësh, por tani për të duket se po e kërkojnë në Turqi. Trabzonspori është një alternativë për të rinisur karrierën dhe, në të kaluarën, në këtë ekip është aktivizuar Alban Bushi.
Një tjetër shqiptar, i cili luan në Zvicër duhet të gjejë një tjetër skuadër. Berat Gjimshiti nuk mund të luajë me ekipin e parë të FC Zyrihut. Klubi vendosi që mos ta grumbullojë për fazën përgatitore dhe synon që t’ia ndërpresë kontratën para qershorit kur përfundon zyrtarisht. Gjimshiti do të stërvitet me skuadrën e dytë deri në largimin e tij. Kështu, si Gjimshiti, ashtu edhe Gashi rrezikojnë vendin në Kombëtare nëse nuk gjejnë ekip të ri.