AlbanianSport.com 22/01/2024 19:50
ASNN – Tregolëshi i parë si profesionist, Kristian Shpendi: “Më pëlqen që ia kalova Stivenit, ia dedikoj babait”. Kristian Shpendi ishte protagonisti absolut i ndeshjes që Çezena fitoi me shifrat 4-0 ndaj Pontederës, pasi sulmuesi shqiptar shënoi 3 gola në këtë sfidë në 7 minuta. Djaloshi ka dalë me topin e firmosur nga shokët e skuadrës në sallën e konferencave pas sfidës, duke shprehur entuziazmin e tij për 3-golëshin e parë si profesionist.
Po ashtu, edhe për faktin që me golat e të shtunës, kishte arritur kuotën e 13 golave të realizuar këtë sezon, një më shumë se rekordi që kishte vendosur binjaku i tij, Stiveni, në sezonin e kaluar. Një kënaqësi më shumë për djaloshin shqiptar, i cili në javët e kaluara ishte përmendur për incidentin ku babai i tij goditi me grusht portierin kundërshtar. Kjo ishte edhe arsyeja pse ultrasit e Çezenës ishin dënuar që të qëndronin jashtë stadiumit.
“I vogël më ka ndodhur që të shënoj më shumë se 3 gola, por kjo është hera e parë mes profesionistëve dhe ta bëj në Çezena, në stadiumin tonë, është e mrekullueshme, – ka thënë fillimisht Kristiani. – Mungonin tifozët? Po, pro ishin jashtë dhe dëgjoheshin. Janë gjithmonë pranë nesh. Në fund kemi shkuar të festonim jashtë me ta, këndova edhe unë. Kisha edhe ndonjë mundësi tjetër për shënim, por le të themi se shkoi mirë edhe kështu.”
“Cili gol më pëlqeu më shumë? – ka vijuar lojtari shqiptar. – Ai me kokë, pasi nuk jam një goditës i mirë me kokë dhe me trajnerin kam ushtruar shpesh këtë vit për këto lloj gjuajtjesh. Kalova rekordin e 12 golave të Stivenit? Sinqerisht, unë mundohem që të transformoj në gol sa më shumë raste që të jetë e mundur. Por pastaj po, më pëlqen që kalova Stivenin (qesh). Golashënuesi më i mirë i kampionatit? Do të ishte shumë e bukur. Këto gola ia dedikoj babait dhe gjithë familjes time.”