AlbanianSport.com 18/10/2018 10:40
ASNN – Myrto Uzuni është padyshim lojtar i talentuar. I dalë fillimisht nga klubi i Tomorit të Beratit, ai pati tre vite të suksesshme në Kategorinë e Parë me Apoloninë, më pas një vit magjik me Laçin e tani po shkëlqen me Lokomotivën e Zagrebit.
Uzuni është sulmues anësor dhe pak nga pak po shndërrohet në yll i skuadrës kroate. Ambiciet e tij janë të shfrytëzojë si trampolinë klubin kroat që të kalojë në një klub të madh europian. Dhe për këtë po i vjen në ndihmë ekipi kombëtar.
Mjaftuan dy ndeshje, një në miqësoren me Jordaninë dhe një në ndeshjen zyrtare kundër Izraelit, që Myrto Uzuni të kalojë provën gjenerale si lojtar cilësor dhe tani llogaritet si një prej futbollistëve me të ardhme në ekipin përfaqësues.
Në ndeshjet e Kombëtares ai është ndjekur nga shumë menaxherë ekipesh italiane, por vështirë se Uzuni mund të largohet nga klubi kroat para merkatos së ardhshme të verës.
Shkak është se në të njëjtin sezon ai ka luajtur me dy klube dhe kjo është pengesë që ai të transferohet në janar. Gjithsesi, me këtë ritëm, verën e ardhshme Uzuni do të merret nga ndonjë klub i madh italian ose në Evropë, sepse ka cilësi, forcë, shpejtësi dhe është një lojtar në përmirësim me moshë vetëm 23 vjeç.