Adriatik Balla 27.05.2015 10:40
Sulmuesi kuqezi kujton trajnerin e Kombëtares për listën e lojtarëve në miqësoren me Francën. Trajneri i Kombëtares Xhovani De Biazi pritet që të publikojë listën e lojtarëve të përfaqësueses që do të jenë të grumbulluar për ndeshjen miqësore ndaj Francës, takim që do të luhet më 13 qershor 2015 në stadiumin “Elbasan Arena”.
Natyrisht, pritet me interes kjo listë e emrave të lojtarëve të ftuar, pasi janë rritur ndjeshëm pretendimet e disa futbollistëve që synojnë të veshin bluzën e ekipit përfaqësues, e në të njëjtën kohë ka dhe nga ata lojtarë që kërkojnë rikthimin, sepse kanë pasur një sezon të fortë e të suksesshëm me skuadrat ku aktivizohen.
Ndoshta De Biazi ka fatin që këtë herë të ketë mundësi zgjedhjeje, pasi lojtarë janë në fundin e sezoneve të tyre dhe, duke qenë një takim miqësor, mund të provojë edhe lojtarë të rinj. Në repartin e sulmit ka më shumë alternativa, nisur nga numri i madh i lojtarëve të rinj ë kanë pasur sukses këtë sezon.
Kuptohet, dyshja e lojtarëve shtatlartë që aktivizohen në kampionatin kroat, Balaj e Cikalleshi, janë më të preferuarit, por nuk mbetet pas Salihi, Gashi dhe Sadiku, që kanë
shënuar rregullisht javët e fundit. Por duket se diferencën e bën një lojtar me përvojë si Edmond Kapllani.
Ai u shpall golashënuesi më i mirë i skuadrës së tij në Bundesligën e 2-të Gjermane, FSV Frankfurt. Kapllani është shprehur se e ka bërë tashmë detyrën e tij, është në formë dhe pritet vetëm reflektimi i De Biazit. “Unë e kam bërë detyrën time, po shënoj rregullisht dhe jam në formë, por për këtë problem nuk dua të zgjatem, pasi është në dorën e De Biazit”, – ka deklaruar sulmuesi veteran për mediat gjermane.
“Nëse ai më fton unë jam i gatshëm”, – shtoi Kapllani. Por është fakt i pamohueshëm se trajneri italian i Kombëtares kuqezi është i “dashuruar” me lojtarët e rinj dhe Kapllani si veteran ka më pak shanse.