AlbanianSport.com 28.02.2015 20:15
ASNN – Edmond Kapllani ka justifikuar vendimin e trajnerit për ta zëvendësuar me Odise Roshin në minutën e 71-të, pasi sulmuesi shqiptar ka shënuar 2 gola duke i dhënë skuadrës së tij, FSV Frankfurtit, barazimin 3-3 në përballjen e Bundesligës 2 në fushën e Bokumit. Edmond Kapllani ka goditur sërish në Bundesligën 2. Madje shqiptari kthehet në heroin e FSV Frankfurtit, duke shënuar dy gola të rëndësishëm në barazimin 3-3 në fushën e vështirë të Bokum.
Në fushë nga minuta e parë ishte Odise Roshi, por mesfushori duhej të kënaqej vetëm me një karton të verdhë nga kjo sfidë, përpara se t’i linte vendin në fushë Kapllanit. Zëvendësimi mes dy shqiptarëve rezulton vendimtar në një ndeshje që po shkonte në mënyrën më të keqe për Frankfurtin. Sulmuesi shqiptar shënoi golin e parë personal në minutën e 84-t, duke marrë përsipër goditjen e 11-metërshit. Nuk gabon sulmuesi, që në limitet e kohës së rregullt gjeti sërish rrugën e rrjetës.
Kësisoj, ai i ka dhuruar një pikë të rëndësishme skuadrës së tij. Pas kësaj sfide, Edmond Kapllani numëron 9 gola në këtë sezon, përfshirë edhe dy të realizuar në Kupën e Gjermanisë. Por dy golat e fundit janë një sinjal i rëndësishëm edhe për Xhovani De Biazin, i cili po përgatit listën e lojtarëve për ndeshjen e 29 marsit kundër Armenisë. Dhe sigurisht me këtë paraqitje sulmuesi ka paraqitur kandidaturën e tij për të qenë pjesë e skuadrës kuqezi për sfidën e ardhshme.