AlbanianSport.com 27/08/2018 20:15
ASNN – Po kalon një formë të mirë dhe të dielën ka gjetur golin e 3-të në këtë sezon të kampionatit amerikan të futbollit (MLS), duke i dërguar sinjal edhe trajnerit të Kombëtares kuqezi, Kristian Panuçi, për dy ndeshjet e Ligës së Kombeve. Jahmir Hyka ka realizuar golin e parë të skuadrës së tij, San Hoze Ërthkuejks, pas vetëm 7 minuta lojë përball Vankuver Uajtkeps.
Por goli i tij nuk ka mjaftuar për t’i dhënë skuadrës vendase fitoren, sepse, edhe pse kryesoi 2-0, vijoi të mundej 2-3 përballë skuadrës kanadeze. Në fakt, ky ishte goli i 3-të për Hykajn në këto 14 ndeshje të këtij sezoni, dhe krahasuar me 3 golat që shtatshkurtëri realizoi në 30 ndeshjet e sezonit të shkuar. Dhe me Armando Sadikun dhe Odise Roshin të dëmtuar, e me Cikalleshin dhe Balajn jashtë forme, Hyka mund të jetë një alternativë e mirë për dhimbjet e kokës së Panuçit.
Ndërkohë, një tjetër lojtar i Kombëtars, Taulant Xhaka, është rikthyer në formë dhe të dielën dha edhe pasimin për golin e skuadrës së tij, Bazelit, në barazimin 1-1 me Zyrihun. Ndërkohë, Elis Bakaj ka shënuar një gol në fitoren 3-1 të Shahtjorit të Soligorskit ndaj Dnjeprit të Mogilevit në kampionatin bjellorus, ndërsa për Kamer Qakën, vazhdimësia me Steauanë e Bukureshtit është në pikëpyetje, pasi ai mund të huazohet.