AlbanianSport.com 14.09.2015 10:05
ASNN – Armando Vajushi nuk zhgënjeu në takimin e parë si titullar me Livornon. Mesfushori me tipare sulmuese u vlerësua si më i miri i në fitoren 2-1 ndaj Komos, të vlefshme për javën e tretë të Serisë B të Kampionatit Italian të Futbollit. E përditshmja e mirënjohur sportive italiane, “La Gazzetta dello Sport” i dha atij notën 7.
Shkodrani, i cili është huazuar nga Kievo, rrezikoi në disa raste portën kundërshtare dhe fitoi 11-metërshin, që vendosi triumfin e Livornos. Një paraqitje e mirë edhe për Thomas Strakoshën, i cili shmangu disa gola me pritjet e tij në barazimin 2-2 të Salernitana në fushën e Breshias.
20-vjeçari ka fituar menjëherë vendin e titullarit në portën e Salernitanës. Një ditë e mirë edhe për Herolind Shalën, i cili luajti për 85 minuta në fitoren 2-1 të Sllovan Liberecit në fushën e Slovackos. Mesfushori i Kombëtares, pati mundësi shënimi, por pa i konkretizuar dot.
Por, në Zvicër, shqiptarët kanë gjetur pak hapësira, ose kanë qëndruar në stol. Taulant Xhaka luajti si zëvendësues prej minutës së 62-të, në fitoren 2-1 të Bazelit ndaj St. Galenit, ndërsa Shkëlzen Gashi nuk u aktivizua. Naser Aliji, i rikthyer vetëm të premten në ekip, nuk u grumbullua për këtë takim.
Debutim me humbje për Albion Avidjajn te Vaduzi. Jang Bojsi e fitoi përballjen me klubin e Principatës me rezultatin 4-0, ndërsa sulmuesi shqiptar hyri në fushë në fillimin e pjesës së dytë. Në kampionatin kroat, Amir Rrahmani luajti si titullar në barazimin 1-1 të RNK Splitit në fushën e Sllaven Belupos.