AlbanianSport.com 06/01/2021 21:55
ASNN – Skuadra e tij fiton me përmbysje 2-1 në Napoli, Hysaj dhe Rrahmani, në stol. Specia e ka befasuar Napolin të mërkurën në mbrëmje, në ndeshjen e zhvilluar në Stadiumin “Diego Armando Maradona”, të vlefshëm për javën e 16-të të Serisë A. Vizitorët mposhtën napolitanët me rezultatin 2-1, ndërsa futbollisti i Kombëtares kuqezi, Ardian Ismajli, u ndëshkua me të kuq në pjesën e dytë, teksa gjithçka ishte në barazpeshë, në shifrat 1-1.
Pjesa e parë u mbyll me rrjeta të paprekura, por Napoli i trajnerit Xhenaro Gatuzo, pjesë e së cilës janë edhe Amir Rrahmani dhe Elseid Hysaj, por që qëndruan në stol dhe nuk u aktivizuan për asnjë minutë, kaloi në epërsi të parët në minutën e 58-të. Andrea Petanja shënoi golin e parë, pas pasimit të Xhovani Di Lorencos nga e djathta e sulmit të skuadrës vendase. Sidoqoftë, Specia arriti t’i barazojë shifrat 10 minuta më vonë, kur M’Bala Nzola u tregua i saktë nga pika e bardhë.
Ndërkohë, qendërmbrojtësi i Shqipërisë, Ismajli, i cili ishte ndëshkuar me karton të verdhë në minutën e 61-të, vijoi të merrte kartonin e dytë të verdhë 16 minuta më pas dhe e la skuadrën me një lojtar më pak në fushë. Megjithatë, edhe pse me një lojtar më pak, Specia gjeti golin e fitores tetë minuta para fundit. Mesfushori Tomazo Pobega ishte autori i golit të fitores, që ishte e para për skuadrën e tij pas plot 8 ndeshjeve rresht.
Pas kësaj humbjeje, Napoli mbetet prapa në tabelën e renditjes, teksa në 15 ndeshje ka grumbulluar 28 pikë dhe mban vendin e 5-të. Ndërsa Specia është në vendin e 16-të me 14 pikë, pas 16 ndeshjeve të luajtura