Albaniansport.net 28.01.2016 09:20
ASNN – Ergys Kaçe është vënë në shënjestër të Interit, që sipas mediave italiane po monitoron mesfushorin e kombëtares së Shqipërisë. Ndërkohë, edhe Migjen Basha mund të kthehet në Itali, ku kërkohet nga disa skuadra të Serisë B.
Emri Ergys Kaçes kthehet të përflitet në merkaton e futbollit italian. Pas Fiorentinës dhe Lacios, tashmë në gjurmën e mesfushorit të kombëtares shqiptare është vënë edhe Interi. Lajmi bëhet i ditur nga faqja sportive pranë klubit zikaltër, “FcInter News”.
Kjo faqe sportive në Internet sqaron se Interi vazhdon të monitorojë futbollistët premtues në të gjithë Evropën dhe mes tyre është Ergys Kaçe, që luan në kampionatin grek me PAOK-un e Selanikut.
Duke i bërë një profil të shkurtër 22-vjeçarit shqiptar, faqja në fjalë ve në dukje faktin se kontrata e Ergys Kaçes me klubin grek skadon në vitin 2017 dhe se vetë futbollisti nuk ka ndërmend të firmosë rinovimin.
Për këtë arsye, PAOK-u mund të vendosë të heqë dorë nga lojtari, në mënyrë që të mos e humbasë atë me parametra zero, por të përfitojë nga shitja e tij për një ofertë më të mirë.