AlbanianSport.com 22/12/2018 18:00
ASNN – Nisin kritikat e para për Memushajn tek Peskara”: “Ka kualitet, por… e dëmtoi Panuçi”. Peskara ka nisur të “fusë ujë” në ndeshjet e fundit dhe nuk po merr maksimumin e saj në Serinë B të Kampionatin Italian të Futbollit. Edhe pse cilësohet një skuadër me tipare sulmuese, Peskara ka hasur probleme në prapavijë në ndeshjet e fundit, madje nga një gabim i shqiptarit Ledian Memushaj ka ardhur dhe ndëshkimi në duelin e fundit, duke bërë që Peskara të humbasë terren.
Referuar gazetës “Il Tempo”, Memushaj, futbollist që bën mirë si në fazën sulmuese, ashtu dhe në atë mbrojtëse, nuk ka mundur ta bëjë diferencën dhe një lojtar cilësor si ai duhet të ishte protagonist kryesor si “dirigjent” në fushën e lojës. Dhe në analizën e gazetës italiane fajin e ka trajneri …Kristian Panuçi. Skemat e tij taktike në ndeshjet e kombëtares e kanë çuar Memushajn të dalë para dhe të luajë si në përfaqësuesen kuqezi, duke harruar aspektet mbrojtëse të lojës, gjë që ka sjellë gabimet e tij.
“Peskara luan mirë me topin në fazën sulmuese, – shkruan “Il Tempo” në rreshtat e analizës së saj, – por nuk është e njëjta në fazën mbrojtëse. Skuadra pëson gola amatoreskë dhe pa lidhje, duke sjellë vështirësi. Dhe nuk është faji i mbrojtjes, pasi mesfusha nuk po e luan rolin e saj në të dy fazat e lojës, ajo nuk po filtron aspak menaxhimin me top dhe kjo sjell pasoja në mbrojtje. I vetmi që mund ta kryejë këtë rol nga mesfushorët është shqiptari Ledian Memushaj. “
“Ai është i vetmi që di të përshtatet në të dy sistemet e lojës dhe kur i ngarkohet kjo detyrë di ta bëjë më së miri, megjithëse në ndeshjen e fundit goli që solli humbjen erdhi për shkak se shqiptari e humbi topin në mesfushë. Sidoqoftë, kualiteti i tij nuk mund të vihet në diskutim dhe Memushaj është futbollist që garanton cilësi, prandaj është një ndër më të vlefshmit në radhët e Peskarës. Eksperienca e tij e shton dhe më shumë këtë rol”, – shkruan e përditshmja italiane “Il Tempo”.