AlbanianSport.com 29.07.2015 09:35
ASNN – Një tjetër lojtar i Kombëtares shqiptare të futbollit mund t’i shtohet listës së drejtorit sportiv të Lacios, Igli Tare. Bëhet fjalë për mesfushorin me tipare sulmuese Jahmir Hyka, i cili po ndiqet nga klubi bardhekaltër italian. Sipas faqes “Lalazisiamonoi.it”, e cila citon gazetën “La Repubblica”, Hyka mund të plotësojë vendin e lënë bosh nga kapiteni Stefano Mauri.
Kjo pasi ai ka karakteristika të njëjta, por është i aftë për t’u përshtatur edhe me disa role në mesin e fushës. “Edhe pse vetëm 168 cm i gjatë, ai është një lojtar i shpejtë”, – shkruan ndër të tjera faqja italiane në fjalë, e cila shton se Hyka ka një kontratë që e lidh me Lucernën deri në vitin 2016. Por ai mund të largohet nga klubi aktual nëse Lacio vendos të paguajë rreth një milionë Euro për kartonin e tij.
Hyka u transferua te Lucerna në vitin 2011 ku ka fituar besimin e tifozëve dhe drejtuesve të klubit helvet. Ai debutoi me Kombëtaren Shqiptare në vitin 2007 por gjatë eliminatoreve të Euro 2016 nuk është përzgjedhur nga trajneri Xhovani De Biazi për të qenë pjesë e grupit kuqezi.