Gjergj Vyshka 02.04.2015 20:55
Igli Tare ka nisur punën për ta shkëputur nga Bazeli shënuesin e golit të fitores në ndeshjen kundër Armenisë, Shkëlzen Gashin. Që do të thotë se sulmuesi shqiptar është në shënjestrën e Lacios. Kolonia e shqiptarëve në ekipin italian mund të shtohet me një tjetër lojtar, pasi Drejtori Sportiv i klubit kryeqytetas, Igli Tare, ka nisur punën për ta shkëputur nga Bazeli shënuesin e golit të fitores në ndeshjen kundër Armenisë.
Kontaktet mes palëve nisën që gjatë tregut të lëvizjeve të futbollistëve në verë, pasi Gashi konsiderohet një lojtar i rëndësishëm për projektin e Piolit. Dhe shkaku është se ai mund të mbulojë disa pozicione në repartin e avancuar. Në fund të qershorit, Bazeli arriti ta shkëpuste sulmuesin nga Gras’hopersi, duke nënshkruar një kontratë deri në vitin 2018.
Por 20 golat e shënuar deri në këtë pikë të sezonit kanë vënë në lëvizje bardhkaltërit. Tare është takuar me të atin, që është njëkohësisht edhe agjenti i lojtarit, dhe një fakt që i shtyn bisedimet në rrugë të mbarë është se Gashi ka pasaportë zvicerane dhe mund të luajë si komunitar. Gjithsesi një nyjë e vështirë për t’u zgjidhur mbetet vlera e kartonit të lojtarit pasi Bazeli nuk kërkon ta lërë të lirë për më pak se 8 milionë Euro.