AlbanianSport.com 09/12/2018 21:50
ASNN – Në Serie A italiane, mbrojtësi Frederik Veseli ishte titullar për 90 minuta në fushë për Empolin në duelin kundër Bolonjës, në fitoren 2-1 të skuadrës së tij. Paraqitja e shqiptarit ishte mjaft e mirë dhe menjëherë pas ndeshjes mediat sportive italiane e cilësuan paraqitjen e Veselit mjaft të mirë dhe me peshë për fitoren e skuadrës.
Një tjetër futbollist kuqezi që shkëlqeu sot ishte portieri Etrit Berisha, i cili ishte titullar për Atalantën në fitoren e vështirë 3-1 ndaj Udinezes. Heroi i takimit ishte sulmuesi Zapata që shënoi 3 golat e fitores në udhëtim, por Berisha ishte dhe një herë tjetër gjigand i portës së Atalantës.
Dhe jo rastësisht para ndeshjes trajneri Gasperini shkoi ta shtrëngojë në krahë, sepse ai e di se me gardianin kuqezi në portë fitorja është më afër dhe më e sigurt. Berisha pësoi një gol në pjesën e parë, por, e parë ndeshja në tërësi, ishte paraqitje e përsosur prej tij.
Një ditë më parë, në fitoren e Napolit, Elseid Hysaj luajti 90 minuta, dhe pavarësisht se për të flitet përditë që do të largohet nga napolitanët, ai vijon të marrë minutazh maksimal nga trajneri Karlo Ançeloti, pikërisht në momentet kur diskutohet largimi i tij drejt Premier Ligës Angleze.