AlbanianSport.com 14.02.2016 10:05
ASNN – Juventusi e ka fituar minimalisht përballjen e madhe të kësaj jave në Serinë A, ndaj Napolit, pasi goli i Zazës në fundin e takimit vulosi gjithçka në një ndeshje të ekuilibruar dhe me pak raste. I ndihmuar nga një devijim, sulmuesi bardhezi i aktivizuar në pjesën e dytë i dha këtë fitore të rëndësishme skuadrës së Alegrit. Ajo që vlen të theksohet është se futbollisti i Kombëtares, Elseid Hysaj ka shkëlqyer për Napolin në fushën e Juventusit, edhe pse skuadra e tij humbi.
Në fakt, ai do të kishte qenë momenti i tij, por një ndërhyrje e vështirësisë së lartë nga ana e Bonuçit, i hoqi shansin e lavdisë Elseid Hysajt. Një pasim për gol ndaj Juventusit brenda në Torino, do të kishte qenë kulmi i sezonit. Për fat të keq, në fushë nuk ishte vetëm Napoli, dhe të zotët e shtëpisë në fund e fituan ndeshjen 1-0. Kjo humbje e zbriti Napolin e shkodranit Hysaj në vendin e dytë, ndonëse synimet për titull nuk u zbehën aspak.
Mbrojtësi i Kombëtares shqiptare, ashtu siç edhe pritej, luajti sërish në nivel të lartë, edhe pse përballë pati kampionët dhe më të mirët e Serisë A. Evra nuk mundi të çante pasi krahu i djathtë i Napolit ishte i mbuluar plotësisht. Jo vetëm kaq, por mbrojtësi i shquar francez, ish-yll i Mançester Junajtid, humbi duelet me Hysajn edhe pranë portës së tij. As Dibala e Pogba nuk e patën aspak të lehtë me 21-vjeçarin shkodran të napolitanëve.
Një konfirmim në nivelin maksimal të futbollit për shqiptarin e ri, që shpreson të fitojë titullin kampion këtë sezon, dhe pse jo, të shkojë vitin tjetër në një klub edhe më të madh në Itali, Spanjë apo Angli. Humbja me Juventusin nuk ishte një turp, as për të dhe as për skuadrën e trajnerit Sarri, pasi ndodhi pikërisht në shtëpinë e më të fortëve. Një përballje taktike, me pak raste për gol, u zgjidh nga një moment klasi i Simone Zazës, ndërsa të dyja skuadrat ishin thuajse të barabarta.