AlbanianSport.com 08.06.2015 07:55
ASNN – Elseid Hysaj pranë Napolit në Serinë A, ndërsa Gjasula siguron Bundesligën e dytë me Grojther-Fyrthin. Është shumë pranë një tjetër hapi të madh në karrierë. Elseid Hysaj pëlqehet nga Napoli dhe shpreson të realizojë një transferim që do ta nxjerrë në Evropë. Mbrojtësi i kombëtares shqiptare pret të largohet nga Empoli tani që ish-trajneri i tij, Sarri, zëvendësoi Rafa Benitezin në “San Paolo”.
Sarri e kishte Hysajn tek Empoli dhe e njohu mirë. Trajneri i ka kërkuar klubit napolitan të bëjë çmos për ta marrë. Ndërkaq, një tjetër lojtar shqiptar realizoi një transferim shumë të mirë. Jurgen Gjasula i shpëtoi kategorisë së tretë në Gjermani, duke firmosur për Grojther-Fyrthin. Ai firmosi një kontratë 2-vjeçare me skuadrën e Bundesligës së dytë.
Më parë, aty ka luajtur Mërgim Mavraj dhe sot ndodhet aty sulmuesi Ilir Azemi. Gjasula ishte sezonin që sapo u mbyll tek Aleni, duke zhvilluar sezon shumë të mirë, veçse skuadra e tij ra në kategorinë e tretë. Pikërisht paraqitjet e mira i siguruan mesfushorit kontratën në Bundesligën e dytë me Grojther-Fyrthin.