AlbanianSport.com 04.02.2016 11:35
ASNN – Napoli vazhdon kryesimin e Serisë A, ndërkohë që Interi është rikthyer pas 4 javësh te fitorja. Napolitanët e drejtuar nga Sarri mposhtën 0-2 në fushë të huaj Lacion, falë golave të Higuainit dhe Kajehonit. Kjo ndeshje u ndërpre për disa minuta për shkak të koreve raciste të tifozëve vendas.
Vlen të theksohet se kjo fitore e napolitanëve vjen vetëm 24 orë pasi futbollisti shqiptar, Elseid Hysaj, festoi 22-vjetorin e lindjes dhe shkodrani i Kombëtares kuqezi, ishte sërish titullar në formacionin e kryesuesve të renditjes së Serisë A, që ëndërrojnë titullin “kampion” pas mëse dy dhjetëvjeçarësh, që nga koha e legjendarit argjentinas, Diego Armando Maradona.
Në takimet tjera, Frosinone fitoi 1-0 ndaj Bolonjës, por mbrojtësi shqiptar, Arlind Ajeti, u dëmtua që në minutën e 11-të dhe u zëvendësua. Me rezultatin 2-1, fitoi në shtëpi edhe Verona përballë Atalantës, ndërkohë që Gjimshiti duhet të presë akoma për debutimin me skuadrën e re. Juventusi i trajnerit Alegri mundi minimalisht 1-0 Xhenoan dhe vendosi një rekord të ri, me 13 fitore radhazi në kampionat.
Interi është rikthyer në vendin e 4-t, falë fitores 1-0 ndaj Kievos në “San Siro”. Ekipi i Mançinit vuajti shumë, por, në fund të 90 minutave arriti të ruajë të paprekur portën dhe, falë golit të Ikardit, u ngjit në kuotën e 44 pikëve. Pas fitores në derbi, Milani triumfoi 2-0 edhe ndaj Palermos duke vazhduar ngjitjen në klasifikim. Empoli dhe Udinese barazuan 1-1, ndërsa Fiorentina fitoi 2-1. Ndërkohë, Sampdoria nuk ka arritur më shumë se një barazim me Torinon.