AlbanianSport.com 24.05.2015 15:45
ASNN – Trajneri i Anderlehtit, Besnik Hasi, është i dëshpëruar me barazimin e fundit të skuadrës së tij, që u nda me një 2-2 në fushën e Kortrijkut. Anderleht ishte duke udhëhequr me shifrat 2-0, por nuk e ruajti dot deri në fund këtë epërsi.
Hasi është i dëshpëruar që edicionin po e përfundojnë pa asnjë trofe dhe tani janë vend
të tretë me 43 pikë, 6 më pak se kryesuesja e elitës së futbollit belg, Genti. “Jam i zhgënjyer”, – ka deklaruar trajneri gjakovar për mediat belge.
“Përveç titullit, humbëm edhe vendin e dytë, – vijoi ai. – Udhëhiqnim 2-0 dhe i bëmë sërish dhuratë Gentit dhe Bryzhit. Nëse ne do të shikojmë numrin e rasteve që patëm, duhet të udhëhiqnim 3-0 në pjesën e parë.”
“Grupi ynë i lojtarëve është i ri dhe kemi pasur shumë dëmtime. Por duhet ta pohoj edhe se kam eksperimentuar shumë”, – ka përfunduar trajneri kosovar i Anderlehtit, Besnik Hasi, i cili nuk arriti ta mbronte kurorën e fituar vjet.