AlbanianSport.com 28/03/2019 22:40
ASNN – Nëpërmjet një mesazhi në adresën e tij në rrjetin social “Facebook”, Salihi informon që ndeshja e kësaj fundjave që skuadra e tij Vjener Nojshtad do të ketë ndaj Vacker Insbruk, do të jetë e fundit për të si profesionist. Shkodrani i qetë dhe serioz, i cili ka regjistruar një karrierë brilante me shumë skuadra dhe me peshë për shumë vite edhe në ekipin kombëtar, vendos të varë këpucët në gozhdë, në moshën 35-vjecare.
Më poshtë jepet mesazhi i plotë i Hamdi Salihit:
Të dashur miq! Pasi e kam menduar gjatë dhe duke u konsultuar edhe me familjen dhe njerëzit afër meje, kam vendosur që ndeshja e kësaj fundjave kundër Ëacker Innsbruck të jetë edhe ndeshja ime e fundit e karrierës time si futbollist profesionist. Me shumë se sa t’ju informoj do doja me këtë mesazh t’ju falënderoja dhe t’ju thoja që jam shum i lumtur që në këtë rrugëtim të mrekullueshëm ju njoha dhe kalova momente të paharrueshme për mua, të gjithë lojtarëve me të cilët kam luajtur, shokë ekipi apo kundërshtarë, trajnerë, presidentë dhe drejtues klubi, tifozë të ekipeve ku kam luajtur dhe atyre kundërshtare. Një falënderim të veçantë për familjen time të cilët kanë sakrifikuar shumë duke qenë gjithmonë pranë meje, prindërit e mi të cilët kanë qenë mbështetja ime më e madhe dhe gjithashtu vëllezërit e mi të cilët kanë qenë kritikët dhe mësuesit e mi më të mirë në gjithë këtë rrugë. Duke mos e menduar veten asnjëherë larg futbollit edhe në të ardhmen, është e natyrshme që edhe ky vendim i imi nuk ka ardhur sot për nesër. Gjatë viteve të fundit krahas futbollit të luajtur, kam lexuar, studiuar dhe mbajtur shënime që besoj se do jenë shumë të vlefshme për të ardhmen time në futboll. Prandaj nga që fjala FUND me duket shumë e rëndë, dua që këtë moment ta shikoj si një FILLIM të ri të një karriere që shpresoj të më dhuroje të njëjtat emocione me atë që kam kaluar deri tani duke luajtur në fushë.
Ju përshëndes të gjithëve dhe mirupafshim së shpejti!
Hamdi Salihi
“AlbanianSport.com” i uron suksese Hamdi Salihit në çfarëdo nisme që ai do të ndërmarrë. Kombi është ndjerë krenar me lojërat dhe golat e tij. Ai ka shkruar një copëz të ndritur nga historia e futbollit shqiptar dhe për këtë meriton mirënjohjen e të gjithëve.