AlbanianSport.com 12/11/2018 22:20
ASNN – Sulmuesi i krahut i Kombëtares, Eros Grezda, kaloi një fundjavë magjike në kampionatin skocez, ku shënoi dy gola në fitoren e thellë 7-1 të të Gllasgou Rejnxhërs ndaj Madhëruellit. Shtypi sportiv skocez dhe ai britanik në përgjithësi shkruan fjalët më të mira për talentin tonë, ndërkohë që vetë Grezda, duke folur për mediat shqiptare, nuk e fshehu entuziazmin dhe kënaqësinë nga kjo përballje, por me ambicie të mos ndalet më së shënuari për Gllasgoun dhe Kombëtaren e Shqipërisë.
“Është një ndjesi komplet ndryshe, – tregon Grezda, – sepse kur luajmë në shtëpi janë 50 mijë shikues dhe kur shënon është e papërshkrueshme. U ndjeva shumë mirë, dhe pas shënova golin e parë u lirova dhe tani fitova dhe besimin e tifozëve që është më e rëndësishmja.” Sulmuesi kuqezi foli dhe për ftesën në Kombëtare, duke shpresuar të bëjë maksimumin. Madje ai ndjehet optimist për të qenë aktiv në fushë, për shkak se ndeshjt e fundit ka filluar të luajë dhe ndihet në formë të mirë sportive.
“Do të vij në Kombëtare dhe kam marrë minuta nga grumbullimi i fundit, – vijoi Grezda, – ndihem mirë fizikisht dhe nuk është e thjeshtë pas një dëmtimi të gjatë. Gjërat kanë ndryshuar pak dhe po mundohem të shfrytëzoj mundësitë që po më jepen.” Ndërkohë, Grezda zbuloi edhe “bastin” e vënë me portierin e Gllasgou Rejnxhërsit, MekGregor, të cilit pas ndeshjes i premtoi se do t’i shënojë dhe me Kombëtaren e Shqipërisë. “Gjatë gjithë javës i kam thënë do të të shënoj dhe uroj që ta bëj diçka të tillë në ndeshjen me Skocinë”, – përfundoi ai.