AlbanianSport.com 24/01/2019 08:45
ASNN – Ai llogaritej si një prej futbollistëve që mund të largoheshin nga Bergamo në këtë periudhë transferimesh dimërore, me gjasë për të përfunduar në Stamboll, tek Beshiktashi turk. Por nuk ndodhi, pasi Atalanta nuk mund ta shesë lirë një lojtar që në ndeshje të caktuara është vendimtar për suksesin. Dhe në fakt, Berat Gjimshiti ishte në fundjavën që lamë pas nga më të mirët në fushën e lojës për Atalantën.
Është pikërisht faqja “Whoscoed” që e ka përzgjedhur mbrojtësin e përfaqësueses së Shqipërisë në 11-shen më të mirë të javës në Serinë A, ku nga Atalanta, përveç Gjimshitit janë zgjedhur edhe Mançini dhe sulmuesi Zapata, ky i fundit shënoi 4 gola në fitoren e thellë 5-0 të Atalantës kundër Frosinones. Një fitore ku dy shqiptarët, Gjimshiti dhe Berisha, bënë një punë të shkëlqyer, duke qenë në lartësinë e kërkuar.
Është pikërisht sajti në fjalë që e ka vlerësuar paraqitjen e Gjimshitit si të përsosur dhe pa gabime, si dhe me peshë për suksesin e Atalantës, nisur dhe nga një pasim goli që ai dha për golin e tretë të shënuar nga Duvat Zapata në fillim të pjesës së dytë të ndeshjes. Kjo faqe e ka vlerësuar paraqitjen e Gjimshitit me notën 8.4, një vlerësim shumë i lartë për mbrojtësit.