AlbanianSport.com 22/02/2019 10:25
ASNN – “Gazzetta Dello Sport”: Emanuele Ndoji në 10-shen e Serisë B, i denjë për klubet e Serisë A. Gazeta e njohur italiane, “Gazzetta dello Sport”, ka bërë një analizë të lojtarëve më të mirë të Serisë B që do të jenë në fokusin e klubeve të mëdha italiane dhe evropiane për merkaton e verës. Në listën e futbollistëve të zgjedhur prej saj është dhe mesfushori i Kombëtares së Shqipërisë, Emanuele Ndoji, i cili aktivizohet me Breshian për të 3-tin vit radhazi.
Djaloshi kuqezi është një mesfushor shumë i fortë dhe gazeta prestigjioze italiane e llogarit atë si një nga mesfushorët më në formë dhe fizikisht i paarritshëm për repartin e tij, duke e cilësuar një lider të vërtetë në mesfushë dhe një nga pikat e forta të Breshias këtë edicion. Madje “Gazzetta dello Sport” ka shkuar më tej, duke thënë se shqiptari Ndoji mund të formojë një dyshe të jashtëzakonshme me Filipo Bandelin, ku italiani ka më shumë fantazi dhe teknikë.
Ndërsa shqiptari është më i fortë fizikisht dhe më pozicional në aspektin taktik. “Dyshe perfekte që mund të luajë edhe ndaj skuadrave më të forta të Italisë dhe Evropës”, – shkruan ndër të tjera gazeta e madhe sportive italiane. Ndërkohë, mësohet se trajneri i përfaqësueses së Shqipërisë, Kristian Panuçi, e ka ndjekur Ndojin në disa ndeshje, ka analizuar ecurinë e tij dhe rolin që ka tek Breshia, për t’u mbështetur tek potenciali i tij në ndeshjet eliminatore të “Euro 2020”.
Me formën që po kalon dhe disiplinimin tekniko-taktik, Ndoji mund të jetë një alternativë mjaft e mirë për veteranët Basha, Abrashi apo Memushaj.