Adriatik Balla 26.05.2015 13:25
Lojtarët shqiptarë janë nga më të kërkuarit në merkaton evropiane, aq sa një pjesë prej tyre kanë marrë oferta që i kalojnë 10 milionë euro për kartonin. Natyrisht më të kërkuar janë futbollistët të cilët luajnë në kampionatet elitare evropiane, por edhe ato të vendeve si Zvicra, Kroacia apo dhe vendet nordike. Kuptohet që Seria A është kampionati më i lakuar për lojtarët e përfaqësueses tonë, por kohët e fundit ka një trend të mirë që pëlqehen edhe klubet gjermane të ligës së parë (Bundesligës).
Një ndër futbollistët më të kërkuar është sulmuesi Shkëlzen Gashi, i cili kërkohet nga shumë klube elitare në Itali dhe në Gjermani. Pas insistimit të Lacios dhe Romës, duket
se në garë është futur fuqishëm klubi i Bundesligës, Shalke 04, i cili është i gatshëm të ofrojë mbi 10 milionë euro për sulmuesin e përfaqësueses kuqezi, duke e bërë atë lojtarin më të shtrenjtë të Kombëtares. Shkëlzen Gashi është bërë emër i njohur në futbollin evropian.
Paraqitjet fantastike të tij në Zvicër në dy vjetët e fundit kanë bërë që shërbimet e futbollistit kosovar t’i lakmojnë plot skuadra të mëdha të kontinentit të vjetër. Kryesimi në listën e golashënuesve më të mirë qe dy edicione në futbollin helvet ka bërë që Gashi të
bëhet objektiv i shumë klubeve të njohura. Ai dha kontribut shumë të madh edhe sivjet që Bazeli ta fitojë titullin “kampion” në Zvicër, ndërsa në kohën kur merkatoja e verës po afrohet, konkurrenca e klubeve që duan të përforcohen me Gashin dita-ditës po shtohet.
Deri më tani Lacio e Igli Tares, Lorik Canës, Etrit Berishës e Thomas Strakoshës shihej si favoritja kryesore për ta marrë nga Bazeli futbollistin e Shqipërisë. Por, situata tashmë duket të ketë ndryshuar. Është një klub i madh gjerman që i ka hyrë shumë seriozisht e intensivisht garës për ta nxjerrë nga gjigandja zvicerane sulmuesin e shkëlqyeshëm të Shqipërisë. Fjala është për Shalke 04-n. Mediat zvicerane kanë raportuar se gjermanët shumë shpejt do ta dërgojnë një ofertë të mirë për Bazelin.
Kjo ofertë pritet të jetë bindëse, që klubi zviceran të pranojë transferimin e Gashit në Bundesligë. Raportohet se trajneri i Shalkes, Roberto Di Mateo, është ai që e ka vendosur emrin e Gashit në krye të listës së transferimeve që kërkon. Për ta bërë të veten Gashin, Shalke 04-a është e gatshme ta sakrifikojë një shumë të madhe të parave. Siç raportojnë mediat zvicerane, gjermanët janë të gatshëm t’i derdhin rreth 10 milionë euro në llogarinë e Bazelit për yllin kosovar.
Mirëpo, gjermanët nuk do ta kenë të lehtë ta kryejnë me sukses këtë operacion. Kjo pasi Lacio nuk do të heqë dorë aq lehtë nga futbollisti tashmë i njohur në Evropë. Fakti që klubi italian ia ka lënë në dorë Igli Tares çështjen “Gashi”, nënkupton se futbollisti mund të përfundojë në Serinë A, pasi do ta ketë më të lehtë të arrijë marrëveshje “shqip” me klubin italian. Po ashtu, prania te Lacio e dy shokëve të Kombëtares shqiptare, Lorik Canës e Etrit Berishës, mund të jetë një plus i madh për klubin roman që ta afrojë në gjirin e vet Gashin.
Lacio e Shalke janë favoritet kryesore, por në luftë për kosovarin kanë hyrë edhe shumë klube tjera. Para pak kohësh thuhej se edhe gjiganti anglez, Arsenal, e do supersulmuesin kosovar.