AlbanianSport.com 07.05.2016 16:15
ASNN – Shkëlzen Gashi i pavendosur për të ardhmen: “Duhet ta mendoj, tani jam i përqendruar te Euro 2016”. Futbollisti kuqezi është shprehur i pavendosur në lidhje me të ardhmen e tij. Në intervistën e fundit për “MLS Soccer”, sulmuesi i kombëtares shqiptare e quajti historik pranimin e Kosovës në UEFA, ndërsa u shpreh se për momentin është i përqendruar vetëm tek “Euro 2016”. Pranimi me të drejta të plota si anëtarja e 55-të e UEFA-s ishte hapi i parë i madh i futbollit kosovar.
Tani fjala i takon FIFA-s, që javën e ardhshme pritet të marrë të njëjtin vendim, duke i lejuar përfaqësueses së Kosovës të marrë pjesë në eliminatoret e Botërorit 2018 që do të nisin në shtator të këtij viti. Ky zhvillim I rëndësishëm ka ngritur edhe shumë pikëpyetje në lidhje me lojtarët me origjinë kosovarë që luajnë me kombëtaren e Shqipërisë ose në përfaqësuese të ndryshme të Evropës. Ata duhet të vendosin nëse do t’I bashkohen skuadrës së vendit të tyre të origjinës.
Sigurisht ky diskutim nuk vlen për të gjithë, pasi disa prej futbollistëve e kanë shprehur edhe më parë vendimin e tyre. Por ka edhe nga ata në mëdyshje dhe në këtë listë duket se bën pjesë edhe sulmuesi Shkëlzen Gashi. Në një intervistë për “MLSsoccer”, sulmuesi i kombëtares shqiptare e quajti historik pranimin e Kosovës në UEFA, por u shfaq i pavendosur për të ardhmen e tij. “Është një moment historik për futbollin e Kosovës”, – tha ai.
“Unë mendoj se ne e kemi treguar në të gjithë botën sesa vlen futbolli i Kosovës, prandaj ky pranim në UEFA na bën krenarë, – vijoi Gashi. – Nëse do të luaj për Shqipërinë apo për Kosovën? Aktualisht jam i përqendruar tek arritja jonë e madhe me Shqipërinë, duke parë që Europiani po afron. Por se çfarë do të ndodhë në të ardhmen, këtë nuk e di, duhet ta mendoj.” Shkëlzen Gashi militon në kampionatin e futbollit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (MLS), ku luan me Kolorado Rapids.